Një skandal i ri ka mbërthyer përfaqësuesen e Argjentinës këto ditë, pas grumbullimit të fundit të ekipit për ndeshjet miqësore.
Pas përfundimit të turit në SHBA, ku ekipi kombëtar luajti kundër Kolumbisë dhe Guatemalës, në aeroportin e Buenos Aires kishte një surprizë të pakëndshme.
Doganierët kontrolluan dhe bllokuan 11 kuti të mëdha nga bagazhet e ekipit.
Sipas autoriteteve, në këto kuti kishte mallra të cilat vlenin rreth 25 mijë dollarë e për të cilat nuk ishte paguar doganë.
Meqenëse vendi i Amerikës së Jugut po kalon një krizë të rëndë ekonomike, lajmi ka bërë bujë në Argjentinë dhe Federata e Futbollit reagoi menjëherë.
Sipas saj, mallrat e konfiskuara ishin vetëm materiale që përdoreshin për analiza teknike në stërvitje apo nevojiteshin për ndeshje.
Ata e cilësuan këtë çështje si një telash të shkaktuar me qëllim kundër federatës dhe se kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës për këto kuti.
Por Zyra e Doganave i shihte gjërat komplet ndryshe dhe për të vërtetuar se kishte të drejtë, publikoi fotot e asaj që kishte gjetur brenda kutive. Ata treguan se përmbajtja tregonte pajisje elektronike, instrumente muzikorë, lojëra apo rroba fëmijësh si dhe veshmbathje të ndryshme josportive e relativisht të kushtueshme.
Nëse në Argjentinë një gjë e tillë ka bërë bujë, në Shqipëri nuk mund të thuhet se është një gjë e re. Sipas “vipsport.al”, shumë ish-futbollistë kanë pranuar edhe publikisht se para viteve ’90, shfrytëzonin udhëtimet e përfaqësueses shqiptare për të sjellë mallra të ndryshme kontrabandë nga vendet që vizitonin, gjëra të cilat sigurisht ishte e pamundur të siguroheshin në atë kohë në vendin tonë.