Kilet e tepërta i kanë kushtuar shtrenjtë sulmuesit Mario Balotelli, pasi drejtuesit e klubit francez kanë vendosur ta gjobisin futbollistin italian. Këtë gjë e ka konfirmuar presidenti i klubit Jean-Pierre Rivere, që tha: “Mario e ka fajin vetë, gabon vetë”. Më pas, presidenti ka konfirmuar edhe faktin tjetër, se i ka rritur rrogën lojtarit.
“Ne jemi të bindur se Mario do të zhvillojë një sezon fantastik me ne, pasi do ta vëmë në kushtet e nevojshme për të shprehur cilësitë e tij”, tha më tej presidenti i Nice, që ka si shqetësim të vetëm peshën e tepërt të sulmuesit. Kur Balotelli u grumbullua në kombëtare peshonte 99.7kg, ndërsa pas disa ditësh, kur shkoi te skuadra e Nice, peshonte 103kg.
Shumë për një lojtar 1.88 metra i gjartë, që duhet të jetë rreth 88kg. “Ne si klub nuk bëjmë dallime dhe nuk i trajtojmë lojtarët sipas dëshirës tonë. Ndaj dhe vendosëm ta gjobisim për kilet e tepërta, pasi nuk mund të vijë në këtë formë në stërvitje, – tha presidenti i Nice, që duke folur për kontratën e re të Super-Mario, shtoi. – Me qenë se Mario qëndroi me ne, vendosëm që t’i rrisim rrogën, pasi të gjesh një sulmues të këtij kalibri diku është e vështirë dhe kushton shumë”, tha Jean-Pierre Rivere.