Vendi i tretë në provat zyrtare të zhvilluara në pistën e Marina Bay, në Singapor, ka qenë një dështim për Sebastian Vettel, që sheh se nuk ka shumë shanse për të triumfuar ditën e diel. Për më tepër që pista nuk lejon shumë parakalime dhe para tij janë Lewis Hamilton e Max Versrtappen, dy pilotë të vështirë për t’u mundur. Për këtë arsye, piloti gjerman i “kokëkuqes” e konsideron një dështim vendin e tretë në provat zyrtare.
“Bëmë dy përpjekje për të kapur kreun apo vijën e parë dhe dy herë dështuam. Nuk arrita në asnjë rast të realizoja xhiron që shpresoja. Ta nisësh garën nga vija e dytë është një zhgënjim, pasi fitorja është e vështirë. Megjithatë, kemi një makinë të mirë dhe shpresojmë që në pistë të bëjë diferencën, pasi gara është e gjatë”, tha Vettel.
Piloti gjerman është i bindur se në garë situata mund të jetë ndryshe. “Kemi të tjera pritshmëri për garën, që do të jetë ndryshe. Gomat nuk ndikojnë shumë në këtë rezultat, por provat nuk ishin ato që prisnin. Nuk gjetëm dot ritmin e duhur, por të shohim se si do të shkojnë gjërat në garë”, u shpreh Vettel