Mick Schumacher, djali i 7 herë kampionit të botës Michael Schumacher, herët a vonë do të garojë në Formula 1, pasi duket se ky është fati i tij, të ndjekë gjurmët e babait. Dhe që tani kanë nisur të qarkullojnë thashethemet e para në lidhje me makinën që do të pilotojë 19-vjeçari, që aktualisht garon në Formula 3. Piloti i ri gjerman mund të garojë me Ferrarin, ashtu sikurse ka bërë edhe babai i tij, por në ndjekje të tij është vënë edhe Red Bull. Kjo e fundit po mendon ta afrojë pilotin, duke e kaluar fillimisht te makina satelit Toro Rosso, për të fituar përvojë e më pas ta marrë te Red Bull.
Është qartë që mbiemri Schumacher do të ketë sërish vend në këtë sport dhe makina Ferrari duket favorite për ta sjellë atë në botën e madhe të Formula 1. Drejtori sportiv i “kokëkuqes”, Maurizio Arrivabene, tha: “E rëndësishme është që ai është rritur në këtë mjedis pa patur shumë presion. Rezultatet e fundit kanë qenë shumë të mira dhe personalisht i uroj një karrierë të suksesshme. Për një pilot që mban mbiemrin Schumacher, dyert e Ferrarit janë gjithnjë të hapura. Por ai nuk duhet të nxitohet për të marrë nje vendim që do t’i shkatërronte të ardhmen”.